Projekte

Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri

Partnerë për Fëmijët në partneritet me World Vision dhe MEDPAK po zbaton projektin “Fuqizimi i kapacitetit të shoqërisë civile për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shqipëri” i cili financohet nga Bashkimi Europian në kuadër programit Instrumenti Europian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR). Ky është një projekt 2-vjeçar i cili ka filluar të zbatohet në Maj 2014 deri në Maj 2016 dhe i cili zbatohet në Dibër dhe Elbasan.

Projekti synon të kontribuojë në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duke u fokusuar në përmbushjen e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara si dhe të mbështesë shoqërinë civile për të ndikuar më efektivisht politikat që ofrojnë mbështetje për grupet e fëmijëve në nevojë (veçanërisht të fëmijëve me aftësi të kufizuara).

Grupet e synuara të këtij projekti janë: të paktën 200 fëmijë me aftësi të kufizuara të moshës 3-14 vjeç në Elbasan dhe Dibër, grupet e të rinjve/qeveria e nxënësve, organizatat e shoqërisë civile për personat me aftësi të kufizuara, prindërit dhe familjet, bordet e shkollave, mësuesit, psikologët e shkollave dhe përfaqësues nga pushteti lokal dhe qëndror.

Gjatë periudhës së parë të projektit është realizuar një vlerësim situate për të kuptuar praktikat ekzistuese në zbatimin e Ligjit Arsimor Parauniversitar për fëmijët me aftësi të kufizuara në Bashkinë Peshkopi, në Komunën Muhurr dhe Sllovë dhe Elbasan në Komunat Shushicë, Bradashesh, Shirgjan, Gjergjan, Labinot Fushë, Gjinar dhe Komunën Papër. Vlerësimi ka hartëzuar cilësistë e sistemit arsimor, shërbimet kyçe dhe praktikat, si dhe mangësitë në shërbimet për fëmijët me aftësi të kufizuara në Rrethin e Dibrës dhe Elbasanit. Si rezultat i këtij vlerësimi është hartuar dhe një raport i cili do të lançohet në një konference kombëtare gjatë Marsit 2015 në Tiranë.

Në kuadër të projektit janë organizuar dhe do të organizohen disa takime me prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe fëmijëve të tjerë në Dibër dhe Elbasan si dhe me qeveritë e nxënësve në shkollat ku po zbatohet projekti. Qëllimi i këtyre takimeve është që të rrisë njohuritë e tyre rreth përfshirjes, përshtatjes së praktikave rreth përfshirjes në arsim dhe inkurajimi i tyre për të ndërrmarrë iniciativa që nxisin dhe promovojnë përfshirjen në komunitetet e tyre dhe adresojnë rastet e fëmijëve me aftësi të kufizuara që vuajnë nga diskriminimi dhe e kanë të pa mundur për të aksesuar shërbimet e përshtatshme për të përmbushur të drejtat e tyre.

Ne vazhdimësi të aktiviteteve të realizuara më sipër është realizuar dhe sesioni i parë i trajnimeve me bordet e shkollave. Sesionet e trajnimeve do të adresojnë rolin e Bordeve të Shkollave për të siguruar një ambient shkollor jo-diskriminues, i sigurtë dhe mikpritës për çdo fëmijë, duke përfshirë edhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Për të promovuar një komunitet me qasje gjithëpërfshirjen, do të organizohen trajnime dhe vizita të herë pas hershme me grupin Multi-Disiplinar të Drejtorisë Arsimore Rajonale. Këta grupe janë të përbërë nga një mjek pediatër, një psikolog, një punonjës social, një mësues, një përfaqësues i DAR dhe drejtuesi i njësisë së shërbimit psiko-social. Grupi Multi-Disiplinar i Drejtorisë Arsimore Rajonale është një kërkesë e Ligjit të Arsimit Parauniversitar 69/2012 për të siguruar aksesin e çdo fëmije në arsim në një mjedis gjithëpërfshirës që mirëpret çdo fëmijë në shkollë.

Gjatë sezonit të verës janë planifikuar aktivitete sociale në Dibër dhe Elbasan.